Vetëm ti më njeh kur unë
jam e fryrë, si Sena në ditët e sotme me shi. Je ti mikja ime, që ke qenë aty
gjithmonë, pavarësisht se kur ka qenë hera e fundit kur jemi parë. Mund të ketë
qenë dje; një vit më parë, ose që në vitin e largët 2003. Ti e di mirë kush je,
ke qenë përherë aty për mua, kur unë kam pasur nevojë për ty. Je aty kur unë
qesh. Ti më ke parë në ditët e mia “formidable”; kur pi e qesh pa fund. Nuk ka
nevojë për fjalë, pasi ti di të lexosh mes shkronjave të mia. Më mbështet sa
here unë bëj marrëzi dhe më mban ‘dorën’ sa herë unë qaj për një temperaturë të
djalit.
Nuk
do të përmend emra, pasi ti e di kush je. Të kujtohet kur ecnim rrugës së
Durrësit dikur? Kur qeshnim pa fund në trotuar, pasi sapo na kishin pushuar nga
puna. Të kujtohet si njerëzit na shikonin me habit dhe kthenin kokën të
çuditur? Nuk mund ta besonin se kishte njerëz ‘të lumtur’ në atë kohë kur në
rrugën e Durrësit të zinte syri: pluhur, tuba, punëtorë llaci dhe makina luksi.
Ata nuk e dinin se e qeshura jonë ishte një mburojë ndaj atyre që sapo na
kishin mbyllur dyert. Po atëherë kur rrinim natën vonë në Qytetin Studenti dhe
lexonim deri në mesnatë “Të mjerët” e Viktor Hygo-s; të kujtohet? Ti je aty edhe
kur pinim kafe pa fund dhe bisedonim për cdo gjë në tavolinën tonë të preferuar
në “Friends book house”. Por, je këtu dhe ti mikja ime e re;
shqiptare apo e huaj.
Miket
e mia të shumta, ju kujtohen ditët që doja t’i ulërija gjithë botës? Ju ishit
me mua e nuk më latë kurrë vetëm. Më njihni aq mirë, sa e dini që miqësia për
mua është si një lloj droge që nuk mund të bëj pa të. E, kur je larg nevoja për
t’ju takuar ju, mikeshat e mia të mira, rritet edhe më shumë. Sidomos në ditët
kur njeriu ka nevojë që dikush t’i thotë në gjuhën e tij: “Mos e çaj
kokën!”
Vitet ikin e ne si pa
kuptuar nuk jemi më ato që ishim dikur. Megjithëse ju e dini që nëse do të më
jepej mundësia të isha dhe një herë 20 vjec, do të bëja po ato gabime që kam
bërë dikur. Duke vrapuar nëpër shtigjet e shumta të jetës, as që i kemi vënë re
thinjat që janë shtruar mire e mire në kokën tonë. Ndoshta dhe i kemi vënë re,
por jemi kënaqur duke “gënjyer” veten ëmbël me një bojë të përkohshme në
floktore. Por, punë e madhe për thinjat. Kjo është jeta në fund të fund, dhe
nëse fati do të dojë që ne të kalojmë nëpër cdo etapë të saj, atëherë vërtet
mund të themi: jetuam dhe lamë gjurmë. A nuk janë ata që do të lemë pas,
gjurmët tona më të mira?! Atë që kemi kaluar e dimë, e ardhmja është në proces
pune. Na jep çdo ditë nga një grimcë për të ‘shijuar’: qeshur e qarë.
E,
sa më shumë vitet kalojnë, ndien dhe vlerëson ata miq që kanë mbetur ende në
rrethin tënd. Janë ata të vërtetët që nuk kanë lëvizur prej aty. Ata që më një
telefonatë apo mesazh të bëjnë të qeshësh pa e vënë re. Me ata mund të jesh i
sinqertë, i hapur, i vërtetë. Me ata nuk ka gënjeshtra, mburrje e foto të
bukura në facebook e instagram. Jo! Vetëm me ata ti je vetvetja. Dhe sa më
shumë koha ikën e, thinjat e rrudhat vërtet shtohen - jo më me shaka - e kuptoj
se keni një vend të rëndësishëm, në restorantin e trenit të jetës sime.