Kot nuk ishte sot e hënë. Të paktën sikur doktori i syve
të thoshte: sytë i ke për faqe të zezë! Kjo do
të justifikonte mundin për të vajtur deri në spital. Por jo! U mjaftua vetëm me një “duhet
t’i lashë sytë me shampo bebesh!” Po pse shkon njeriu për kaq tek specialisti e
aq me tepër në një ditë të hëne. Nuk mjaftoi fakti që isha zgjuar që në 4 të mëngjesit,
e piva dy kafe të ftohta, pasi nuk mund të ndizja aparatin e kafesë, zhurma që
do të bënte do të zgjonte fëmijët që më në fund po flinin në kuzhinë, pas rënies
së temperaturës. Herën e parë e anulova vizitën tek mjeku pasi ishte djali i vogël
sëmurë, të dytën ishte i madhi, sot ishin të dy sëmurë, por sot duhej të shkoja nuk mbante më ujë pilafi.
Makinën nuk mund ta merrja pasi dy pika që do të më hidhnin në sy do të
më turbullonin për pak shikimin, ndaj me metro dhe autobus ishte zgjidhja e
vetme. Po fundja i thashe vetes “ti nuk ke lindur
me makinë, ndaj nisu!” Ne metro ishte njëra që fliste që në pikë të mëngjesit për
një “botterham”, (dy feta buke të lyera me gjalp edhe pak dhjatë e sallam në
mes), asgjë tjetër nuk ishte e veçantë. Në stacionin e autobusit ngre kokën të kontrolloj
orarin e autobusit që duhej të merrja unë. Shyqyr që kuptoj dy fjalë se do të
kisha mbetur aty. Për shkak të një defekti të asaj linje autobusi im vinte pas
35 minutash. Ishte ora 9 e mëngjesit, ndërsa takimi ishte në orën 9:20. Epo kot, edhe ketej vonohet autobusi, po pse sot? Mora
rrugën në këmbë, pasi me të pyetur gjen Stambollin e jo më një spital. Qeshja
me vete, se nuk qaja dot, e mirë kisha bërë që s’kisha qarë, pasi i vetmi
problem me sytë e mi na ishte zgavra e lotëvë. Një autobus që nuk vinte nuk do
të ma prishte humorin. Në fillim e nisa me vrap, por pasi bëra 50 metra
ndalova, nuk mund të vrapoja më, s’kam qenë kurrë për sporte të tilla. Më në
fund arrita, merrja frymë me zor, por arrita! Të tjerë njerëz prisnin para
meje, të moshave të ndryshme, një vajzë diku tek 7 vjeç dhe një 95-vjeçare
ishin ndër të tjerë pacientë. Më të moshuarit nuk shikonin mirë as të plotësonin
formularin që në shumicën e rasteve i përgjigjesh me “jo”, ndaj dhe shoqëroheshin
nga të dytë.
- Baba,
e mban mend emrin e ilaçit që përdor? - E
pyeti i biri një të moshuar 78- vjeçar. Jo! - tha ai, - di vetëm që janë disa
kokrra të vogla.
Të tjerët
qeshën: “të gjitha kokrrat të vogla janë, ju ndryshon vetëm ngjyra”, - ja ktheu
një grua. Jo, - përgjigjet
ai me seriozitet, - kokrrat e mia janë të bardha. Të gjithë qeshëm, ishte një
plak i mirë, nuk donte të ulej por bënte ec e jakje nëpër spital. " E ecura të bën mirë", - thoshte dhe kishte të drejtë, ndaj m'u mor fryma mua teksa vrapoja. Ndërsa i
erdhi rradha plaku nuk gjendej. Por sa hap e mbyll sytë u shfaq sërish me një buzëqeshje si prej fëmije lozonjar, që sapo i kishte punuar të birit një rreng. Ishte i lumtur!
Unë ika e nuk e di çfarë u bë me pacientët e tjerë,
shyqyr që telefonin e kisha harruar në shtëpi, një e mirë tjetër e kësaj dite,
pasi ndryshe kjo histori do të ishte më e bukur. Do
të ecja duke shkruar rrugës, pasi kur dola nga spitali autobusi vonohej jo më
35, por 39 minuta. Nuk shikoja dhe aq mirë, e ndaj nëse do të kisha edhe
telefonin të shkruaja me siguri do të isha përplasur me ndonjë shtyllë.