Shitëm shtëpinë tonë të vogël dhe modeste; dy dhoma
dhe një kuzhinë dhe ikëm larg qytezës së vogël ku lindëm e u rritëm. Tirana
ofronte shumë më shumë. Meqë paratë nuk na dilnin për të blerë një shtëpi tjetër
as një dhomë e një kuzhinë, vendosëm që më e sigurta për ruajtjen e tyre do të
ishte Banka e Shqipërisë. Vetëm aty, - tha babai,- nuk i gjen gjë paratë. “Po
ra shteti na ka marrë lumi dhe ne”, - mirëpo ai as nuk e kishte idenë më të vogël
se çfarë mund të ndodhte brenda asaj godine të madhe që shtrihet në qendër të
Tiranës e pa ju dridhur syri fare luan
bixhoz me ç’ti dalë përpara.
Nuk më pëlqeu idea e Bankës së Shqipërisë, nuk e di
pse më kujton gjithmonë kohën e komunizimit. Sa herë vija në Tiranë, kur isha e
vogël e shikoja bankën si një gjë të frikshme, thesari i shtetit, paratë, më
trembnin sa herë i dëgjoja ato fjalë.
Por nuk kishim zgjedhje tjetër, bankat e tjera,
shumica në atë kohë ishin greke; atyre nuk i besohej akoma dhe më keq. Shyqyr Zotit
dikujt nga fisi i ra mendja t’i kërkonte ato para borxh dhe prindërit e mi si
zemërmirë që janë nuk mund t’i thonin jo. I tërhoqën paratë me lezet dhe ja
dhanë borxhkërkuesit. Mbaj mend si sot debatin e bërë se pse duhej të prishnim
planet tona e t’ju jepnim të tjerëve borxh kur nuk kishim asgjë në terezi. Por
sot më vjen mirë që ata para u dhanë borxh. Më mirë borxh dikujt që ti e njeh e
ndoshta s’do i marrësh kurrë, se sa të shkojnë për operacione bukurie të vajzës
së guvernatorit, apo ngushtim stomaku të së shoqes ( nuk kuptoj pse duhet të
ngushtohet stomaku me operacion, kur mund ta kontrollosh veten në të ngrënë).
Siç duket kur paraja merr dhenë nuk di ç’të bësh me të, pasatj fundi i fundi
çfarë të kushton ja ku është Amerika, paratë të fukarenjve janë, çfarë humbet?
Asgjë.
Them
prapë shyqyr Zotit që i morën paratë tona borxh e nuk u prishën nga vajza e
guvernatorit, pasi nuk e di pse me kujton Fionën tek filmi “Shrek”. Shyqyr Zotit
që i dhamë borxh e nuk shërbyen për t’í fshirë djerësët djalit të Fullanit, apo
më keq akoma si letër higjienike. Teksa lexoja shkrimet e shumta në gazeta për
pasurinë marramendëse të guvernatorit pyeta veten se pse prindërit e mi kishin
si pasuri vetëm një shtëpi tepër modeste që e shitën për aq pak para.
A
nuk punuan edhe ata gjithë jetën e tyre me tre turne ne metalurgji, a nuk lanë
kockat aty e sot nuk ka sëmundje që nuk ju është shpikur. Edhe kur ju çon
ndonjë lek që të dalin për një darkë jashtë, e merr vesh të nesërmen se paratë shkuan
për të bërë analizën e rradhës. Pse nuk kursyen edhe ata që të kishim edhe ne të
paktën një shtëpi në Tiranë, se në qytete të tjera do të ishte luks i madh apo se im
atë e ime më, ishin klasë punëtore, e jo me shkollë të lartë si guvernatori me
shokë?
Do të doja dhe unë të
shkoja një herë në Amerikë, jo për operacion se stomakun e kam vetë të ngushtë, do të doja dhe unë të
shkoja një herë në vit, (jo çdo javë se më bën dëm:P), në një qendër bukurie,
kot për të parë ç’bëhet aty, si ndihesh kur hyn brenda?! Do të doja dhe unë të
shkoja një herë me pushime në Saint Tropez se më ka ngel fiksim që nga koha kur
shikonim filma me xhandarin Krysho (Louis de Funegraves). Ç’na bëre more babi që nuk punove
guvernator, por metalurg i thjeshtë!
Nëse
unë do të isha në Tiranë sot do të merrja pjesë në protestë. Është më e paktë që
mund të bëj e jo të shkruaj nëpër rrjete sociale.