Powered By Blogger

Tuesday, October 13, 2015

Kur e ka ditëlindjen Bardhoshja?



Kush je ti moj çupëlinë që kërkon të dish të dhënat e biznesit tim? Për pak sa nuk i thashë: xhaxhi më fal për shqetësimin, por të betohem nuk i dua unë të dhënat, por Komisioni Evropian dhe Banka Qëndrore Evropiane. Ik moj dreq andej! - mbylli receptorin burri hijerëndë. M’ú duk sikur dëgjoja bufin që thotë: “do ti të të tregoj që bardhoshja ka ditëlindjen? Nuk ta tregoj!”
Nuk është përrallë e as zgjim nga ëndërra, por një e vërtetë e hidhur e realitetit tonë. Kam disa javë që po punoj mbi një projekt të Komisionit Evropian dhe Bankës Qëndrore Evropiane, për bizneset në Shqipëri. 
Unë jam vetëm ura lidhëse mes dy palëve, por për qamet se binden shqipet të të japin disa të dhëna, që jam e sigurtë që asaj të dashurës flokëverdhë, flokëkuqe apo jeshile kush e di sa herë ja kanë thënë me detaje madje. Megjithëse asaj nga një vesh i kanë hyrë e në tjetrin i kanë dalë, i mjafton vetëm numri i kartës së tij bankare. As nuk duan t'ja dinë biznesmenët shqiptarë edhe pse prezantohesh në emër të një institucioni si KE apo Banka Qëndrore Evropiane, sërish nuk luajnë nga mbrojtja e sekretit shtetëror: nuk japim të dhëna!
Kolegët e mi sllovenë e italianë e të tjerë si ata, e kanë aq të lehtë të mbledhin ato të dhëna që duket se s’janë asgjë më shumë vetëm se diçka normale e një punë rutinë 6 mujore e KE-së. E ndërkohë habitesh që sa herë i merr në telefon për të kërkuar plotësimin e të dhënave, përgjigjja që merr të le me gojë hapur. Të gjithë janë shumë të zënë me punë. Në mëngjes nuk kapet financa nëpër zyra, dakord unë e kuptoj që deri në 9:30 nuk kanë pirë ende kafen e mëngjesit, ndërkohë që unë e kam kafen time para kompjuterit e nuk mund të dal ta pi në lokalin poshtë zyrës time, pavarësisht se ka një pamje të bukur përballë, në qendër të Rotterdamit. E jo unë duhet ta pi kafen para kompjuterit tim, pasi duhet të bëj lidhjen me bizneset shqiptare, jo më kot të huajt vënë një kufi, apo deadline siç na pëlqen ta quajmë në gjuhën popullore.
Sa do të doja që vërtet njerëzit të kishin aq shumë punë sa thonë, kush e di sa mirë do të ishte sot gjendja ekonomike në Shqipëri. Një biznesmen pasi më kishte kërkuar disa herë ta merrja në orare të ndryshme, më në fund tha: “Më merr më vonë; jam në një drekë punë.” Megjithëse luftoja me veten, sërish e pandërgjegjshmja ishte më e forte, e para syve të mi, më shfaqej një njeri me barkun deri tek goja, që duhej të ishte në ato çaste që fliste me mua në periferi të Tiranës për ndonjë pulë me pilaf. Të tjerë të pyesin: çfarë përfitoj unë nga kjo? Zonjë dhe Zotëri, Bukra dhe Meti, përpara se të përfitosh, duhet edhe të bashkëpunosh.
E atëherë m'u kujtua Konica i gjorë tek “I dashur mik” thotë : “Në bëfsh gazetën me shkronja të mëdha, shqiptarët do të thonë se s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fletë të vogla, do të thonë se s’është gazetë, po libër; në e shtypsh me letra [germa-N.J] të holla do të thonë se s’këndohen dhe prishen sytë; në e shtypsh me letra të trasha, do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vende.”
Megjithatë ka edhe nga ata biznesmenë që të presin me kënaqësi dhe nuk e kanë fare problem të të japin disa të dhëna. Madje janë shumë bashkëpunues. Janë pak, e di, por unë shpresoj që ky numër do të jetë më i madh në 6 mujorin e ardhshëm të raportit të KE-së.

Tetor 2015

Sunday, August 30, 2015

Nuk bën robi për një euro




Nuk kam asgjë personale me ta si njerëz, ndërsa kam shumë kundër muzikës së tyre. Por edhe që të çahet dynjaja ka një javë, sa lekë u hodhën e kush kërceu në dasmën X, më duket një fatkeqësi për muzikën shqipe dhe publicitet i pamerituar. E di që nuk shquhem për muzikë, as nuk ja them fare për të kënduar, por ama aq vesh  muzike sa të dalloj të bukurën nga e shëmtuara unë kam. E të thuash këngëtarin apo këngëtare e mirënjohur për njerëz që për mendimin tim, përveçse shkatërruan muzikën shqiptare, nuk bënë gjë tjetër, më duket jo profesionale, madje aspak profesionale.
Turmën nuk mund ta detyrosh, por ama fare mirë mund ta drejtosh. E turma është drejtuar, e them me dhembje gabimisht, drejt një muzike pa shije, - tallava. E meqë i pari i këtij lloji bëri bum e bujë, e ndoqën pas simotrat e tij. Do kenë thënë me vete: kur po bën para filani, po ne që kemi ç'të tundim e të shkundim pse jo?! Dhe rezultoi me sukses, pasi bënë para sa u shqepën. E çudia nuk mbaron më aq, ata janë kudo të ftuar në radio e në televizione, si njerëz të suksesshëm, si “këngëtarë”.  Shumë kohë me parë një miku im gazetar kishte ftuar një të tillë në studio, nuk ma kishte marrë mendja kurrë që edhe ai do të binte në atë grackë. Që prej asaj dite nuk pashe më asnjë emision të tij.
Nëse askush nuk e kundërshton kjo lloj muzike ka marrë dhenë. Sot nuk pyet më kush se çfarë po dëgjon, veshi ju është mësuar njerëzve me atë që pa frikë do e quaja "muzikë ordinere". Dikur netëve vonë kur kthehesha nga puna që mbaja në një gazetë e kaloja tv tek BBF-ja, i vetmi në atë kohë me muzikë të tillë. Do thoni ju: atëherë pse na çan kokën kot, kur edhe vete ke dëgjuar muzikë të tillë? Po, e mbaja tv aty, pasi ngushëlloja veten. Thoja: paska më keq se unë, pseudokëngëtarë. E kur nga puna më pushoi ish -drejtori i gazetës, një inxhinier pyjesh, s'kam sërish asgjë as me inxhinierët e as me pyjet, u binda plotësisht se BBF-ja më sillte humorin. Por ajo muzikë shkoi shumë larg e sot fëmijët para pallatit këndojnë këngë të tilla, kërcejnë e vishen si ata/ato. Mua më vjen keq vetëm pse nuk dëgjoj muzikë të mirë, ndërsa atyre që luajnë muzikë të mirë, që dinë se ç'është muzika e vërtetë kush e di sa turp ju vjen... . Kush e di sa me dhembje i shohin ata këto ngjarje. Kur më vjen keq mua, atyre duhet t’ju qajë shpirti. Si u bë kjo punë kështu?! Vaj mileti ç'po dëgjon... Ç'nuk u tha e ç'nuk u bë, vetëm për ca euro më shumë.
Shijoni muzikë të mirë miqtë e mi, jeta është shumë e shkurtër për ta shkuar dëm me tallava. Unë s’kam përmendur emra, pasi do të mbushej i gjithë shkrimi vetëm me të tillë, aq shumë sa janë shtuar. Po përmendët ju emrat unë s’di gjë.Tani që të mos zgjatem shumë më mbeti fiksim ajo puna e dhuratës së Bleros në dasmën Y, 1001 €. Shumën e madhe e kuptoj, por ky 1 € plus më mbeti merak, përse vallë?



 
Leonard Cohen ~ Dance Me To The End Of Love


Thursday, August 13, 2015

Nuk ke si Kim Kardashian: hiq dorë





Përfundimisht duhet te mësoj të trukohem më mirë. E trukuar i mashtron më shpejt dhe më me lezet njerëzit. Kam vite që kam dështuar me sukses në vënien e penelit mbi qepallat e syve, dhe pothuajse kisha hequr dorë prej tij, por shoh se duhet t'i rikthehem serish. Shyqyr zotit ka aq video në youtube, sa shpresoj që njëra do të ketë një mënyrë të thjeshtë për mua. Duhet të mësoj të kombinoj më tepër ngjyrat e kështu e trukuar, e mashtruar me Gucci, Versace e Armani; që ne shqipet aq shumë i duam, (edhe nëse s'ke bukë për të ngrënë fundja ka plot false), a thua do t'ja dal në krye?!
Nisa shumë CV për punë sot. Më pëlqeu forma që i kisha thanë CV-së time; ishin plot tre faqe të shkruara me lezet. Kishte aty shkollë, kurse, eksperienca në punë; duhet shtuar edhe hobby, a thua se punëdhënësit tënd i intereson vërtet kjo gjë. Por kjo është forma moderne e të bërit një CV.

Prita gjatë! Asnje reagim. Ndoshta nuk do të marr edhe nesër asnjë, ku i dihet fotoja e profilit nuk ishte e duhura. Kam thënë unë; syzet ma prishin gjithmone punën. Syzet?! Se mos vetëm ato; flokët e mia kaçurrela marin formën me diskriminuese, pikërisht atëherë kur duhet të bej një foto zyrtare e, sic ju fola  më lart për make up -in tim, qe nuk është asnjëherë siç duhet. Pikërisht kur duhet të bësh një foto të tillë, nuk ke asgjë për të veshur. Hap dollapin e rrobave, që sa nuk po thyhet nga tejmbushja. Jo, asgjë për të qenë nuk është aty. Vesh të parën këmishë që të del përpara, atë këmishën që kishe bërë be që do e falje. Pikërisht asaj i bëson ndoshta foton më të rëndesishme të jetës tënde. Ndoshta prandaj deri tani asnjë e-mail, apo telefon; askush nuk ngaterron as numrin e telefonit.
Shyqyr Zotit që më pëlqeu vetja diten kur u bera nuse, pasi i kisha hequr syzet për pak pak kohë (fundja e dija se kush do te ishte në dasmën time), e trukun ja besova një duararte.

E teksa shikoja lajmet nëpër internet, kot, për të shtyrë kohën e për të mos kontrolluar 100 herë emailin, u bëra kurioze të lexoja pak mbi jetën e Kim Kardashian.  Thashë me vete: "Kush e di se c'do ketë mbi shpatulla kjo vajzë?!" Përfundimisht sekreti nuk qëndronte tek shpatullat, por pak më poshtë. Pashë veten në pasqyrë...Hoqa dorë! M'u kujtua Kafka tek nje nga tregimet e tij thotë: Hiq dorë! Atëherë thoja: sa i cmendur ky! Jo, unë nuk heq dorë!
Nuk e paskam kuptuar atëherë Kafken, ndoshta as tani. Sa e egër paska qenë kjo bote, kur njeriu vleresohet për atë që duket, e jo atë që është... 
Gusht 2015